Vangjush Dako rikthen luftën e bandave në Durrës, në rrezik edhe jeta e krybashkiakut

0
Të ardhurat nga klikimi i kësaj reklame shkojnë për projektin “Ushqimi për Jetimët”. Ndihmo me një klikim !
loading...

Një situatë shpërthyese është gatuar në Durrës, që nga koha parazgjedhore dhe në vazhdim. Pas daljes së Lulzim Berishës dhe të disa eksponentëve të tjerë të grupit rival që nga koha kur u ndanë pas një përplasjeve dhe atentateve të përgjakshme, situata ka agravuar sërish. Një nga “meritat” kryesore për këtë e ka, edhe kryebashkiaku Vangjush Dako. Tashmë të gjithë e dinë, jo vetëm në Durrës, se pasi edhe me firmën e tij u lirua nga burgu Lulzim Berisha, grupi i këtij të fundit u riorganizua, por këtë herë në shërbim të Dakos.

Dihet njëkohësisht edhe dosja voluminoze e ardhur në prokurorinë e Durrësit nga shërbimi inteligjent i EULEKS në Kosovë, ku Dako del i përgjuar duke folur me eksponentë të rrezikshëm të krimit. Aty ka biseda për blerje votash dhe shantazh ndaj votuesve gjatë fushatës zgjedhore, të vitit të shkuar. Përgjimi është bërë nga shërbime të fuqishme inteligjente të huaja, që veprojnë në Kosovë dhe në Shqipëri, duke përfshirë edhe atë amerikan të instaluar në bazën ushtarake të Bondsteel.

Jo më kot edhe ambasadori Lu, sa herë flet për pandëshkueshmëri, një nga emrat që përmend sistematikisht është ai i mikut dhe ortakut të Vangjush Dakos, Lulzim Berisha, edhe pse i liruar me vendim gjykate.

Vangjush Dako nga kryetar i bashkisë së Durrësit, prej kohësh është kthyer në një pasha fuqiplotë në këtë qytet duke marrë nën kontroll të gjitha institucionet, edhe ato që nuk varen nga ia. Tashmë të gjithë në Durrës dhe në Tiranë, ministra dhe drejtorë, deputetë dhe funksionarë të lartë të Partisë Socialiste e dinë se Dako posedon një “ferman” special, nga Edi Rama.

Kjo ka bërë që administrata në këtë qytet të kthehet në një garnizon ushtarësh të Vangjush Dakos, mjaft prej të cilëve me të shkuar të errët dhe lidhje të hapura me persona të krimit. Nuk është më sekret për Durrsakët që persona të skeduar nga policia, ish të dënuar apo edhe në kërkim, janë bërë edhe “shefa kuadri” duke vendosur njerëzit e tyre në polici, hipoteka dhe gati në të gjitha institucionet e tjera në këtë qytet. Emërimet e reja kalojnë formalisht procesin e konkurseve, por në fakt të gjitha bëhen nga zyra e Dakos, apo kafeneja ku ai rri me persona që kanë lidhje të forta me krimin.

Një nga rastet më të fundit flagrante të këtyre emërimeve ishte ai i Zëvendës Drejtorit të hipotekës së Durrësit, Sulejman Ibrahimit. Ashtu siç bën në çdo emërim, edhe në këtë rast Dako duke poseduar “carta bianka” nga Edi Rama, vendosi veton deri te ministria-kukull e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ibrahimi një nga aktivistët më të shquar të shtabit elektoral të Dakos, ishte prej kohësh nën hetim nga prokuroria. Këtë e dinte ministria e Drejtësisë, e dinte partia socialiste në Durrës dhe gjithë qyteti. Por Dako nuk pyeti askënd dhe e emëroi në postin kyç, tek hipotekat. Por pikërisht në ditën që Ibrahimi morri detyrën, policia 6 ditë më parë me një vendime gjykate i hodhi prangat, pikërisht në zyrën e shtetit.

Si ish- kryetari i majtë i Komunës së Ishmit në vitet 2011-2015, Ibrahimi do të gjykohet si zbatuesi i një skeme korruptive dhe grabitjeje të tokave shtetërore në bregdet, për një seri vendimesh abuzive qiraje të tokave shtetërore, dhënien me qira në mënyrë abuzive të plazheve dhe toka shtetërore në kundërshtim me ligjin, etj. Në vitin 2011 pikërisht për këto afera u qëllua edhe me armë, pas një konflikti në zonë, por gjithmonë është mbrojtur nga Dako, i cili “çuditërisht”, edhe pse “e ka bërë baltë” duke shkatërruar dhe kriminalizuar qytetin e dytë më të madh në Shqipëri, mbrohet pa kushte nga Edi Rama.

Edhe pse shumica e emërimeve që bëhen në Durrës kanë prapavijë lidhje të grupit të fuqishëm kriminal, që tashmë është vënë në shërbim të kryebashkiakut, Edi Rama, po bën sikur nuk di gjë për këtë situatë edhe pse brenda Partisë Socialiste, në bazë dhe në qendër, ka plasur revolta.

Por gjëja më shqetësuese që buron nga kjo “politikë personale” e Dakos është rizgjimi i konflikteve, mes bandave kriminale në këtë qytet.

Aktualisht Dako si kryetar bashkie dhe kontrollues i institucioneve të tjera në Durrës, i ka vënë zyrat e shtetit vënë në shërbim të tyre. Leje ndërtimi, favorizime të bizneseve, tolerancë nga policia, tendera, etj, po jepen vetëm për një grup kriminal. Ndërkohë nga na tjetër, rivalët e tyre që kanë tjetërsuar edhe ata paratë e krimit në biznese janë bllokuar, madje edhe me tendencë të hapur.

Historia e këtyre grupeve është teje e përgjakshme. Ndërkohë që Endrit Dokle pritet të dalë burgu, pjesëtarë të tjerë të grupi që ka zhvilluar një betejë me shumë të vrarë me Lulzim Berishën janë të lirë, ose kanë dalë nga burgu së fundmi.

Burimeve të sigurta pranë drejtorisë së Krimit të Organizuar në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, i thanë “Syri.net” se situata është teje shpërthyese në Durrës. Fuqia që i ka dhënë njërit grup kriminal nga Dako në qytet, po përkthehet nga rivalët si një shpallje lufte. Vetë Dako ka marrë së fundmi disa paralajmërime për këtë gjë. Aktualisht policia në bashkëpunim me prokurorinë ka bërë gati një plan-operacion për të ndërhyrë në qytet, ashtu si bëri së fundmi në Elbasan dhe pritet së shpejti në Fier, por zbatimi i tij po gjen rezistencë të fortë politike, që mbërrin deri te kryeministri.

Duket se Dako është ngjizur aq shumë me krimin në qytet, sa që hapur po vë në rrezik edhe jetën e tij, thonë burimet policore për “Syri.net”, të cilat shtojnë se kryebashkiaku i Durrësit prej kohësh po mbahet në ruajtje në distancë, nga agjentë civilë të policisë kriminale.

Durrësi është në prag të shpërthimit. A do të lejojë Edi Rama që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku të ndërhyjnë, sa nuk është vonë?!

loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here