Ndërkombëtarët gati për arrestimet e “kokave të larta”, BE sjell ekspertë , SHBA jep 2 milionë USD

0
loading...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, janë duke hedhur hapat e fundit për të nisur luftën në politikën dhe drejtësinë shqiptare. Prej disa ditësh është ndërmarrë një proces i thellë reformimi në prokurori e polici, duke dhënë sinjale se po afron dita e arrestimeve në nivele të larta. Por autoritetet shqiptare nuk do të jenë vetëm në këtë aspekt, pasi do të ketë asistencë nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Dy ditë më parë ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi se FBI do asistojë prokurorinë, mirëpo nuk do të jetë vetëm kjo mbështetje, pasi Uashingtoni do të japë fonde dhe do të sjellë ekspertë sa i takon dhe reformës në drejtësi. Po e njëjta gjë do të ndodhë dhe nga Bashkimi Europian. Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “SOT”, SHBA do të japë për Shqipërinë gjatë vitit 2018, plot 7.4 milionë dollarë fonde, me qëllim realizimin e reformave. Vendimi i marrë nga senati amerikan tashmë është në fuqi dhe shumë shpejt fondet do të mbërrijnë në Tiranë dhe do të jenë një ndihmë e madhe për zbatimin e reformës në drejtësi.

Nga këto, 2 milionë do shkojnë për luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet. “2 milionë dollarë do të jenë asistencë nga SHBA për Shqipërinë në luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut të njerëzve dhe narkotikëve, luftës ndaj korrupsionit, ndryshimin e ligjeve dhe ndaj shoqërisë civile, kjo e fundit si faktor ndihmues në luftën ndaj krimit e korrupsionit. Asistenca do të ndihmojë reformën në sektorin e drejtësisë dhe ngritjen e kapaciteteve në zbatimin e ligjit në të gjitha nivelet. Programet do të asistojnë planifikimin, menaxhimin, trajnimin për zbatimin e reformës në sektorin e drejtësisë, si dhe do të forcojnë transparencën, shoqërinë civile dhe të drejtat e viktimave të krimit”, thuhet në raport. Kjo do të thotë se shumë shpejt do të alokohen këto fonde dhe amerikanët nisin punën për ngritjen e Byrosë së Hetimi dhe Prokurorisë Speciale Antikorrupsion. Fondet po ashtu do të shkojnë dhe për policinë, e cila do të forcohet pas vetingut që ka ndërmarrë qeveria.

Angazhimi i Brukselit

Ndërkombëtarët janë duke ecubashkërisht në luftën ndaj korrupsionit në politikën shqiptare. Përveç, SHBA angazhim ka ndërmarrë dhe Bashkimi Europian. Vitin që lamë pas, misioni EURALIUS IV, i cili përfaqëson Brukselin, e mbylli mandatin e tij. Por BE ka vendosur që të vijojë asistencën për vendin tonë dhe në Tiranë do të vijë misioni EURALIUS V. Interesant është fakti se nuk do të qëndrojnë në detyrë ekspertë aktualë, por do të vijë një grup akoma dhe më i gjerë, ku do të ketë ekspertë afatgjatë. “Pjesa 6 e direktivave thotë se EURALIUS I, II, III e IV janë pritur nga autoritetet, por për arsye të kontekstit pas reformës, ka nevojë për një plan akomodimi të EURALIUS V. Në lidhje me këtë EURALIUS IV do të dorëzojë dy automjete dhe disa zyra për EURALIUS V. Në fazat e para, zyrtarët e EURALIUS IV do të takohen për të këmbyer eksperienca me EURALIUS V dhe për dorëzimin e materialeve”, thuhet në një dokument të siguruar nga gazeta. Nga ana tjetër, aty tregohet dhe pse këtë herë do të vijnë dhe ekspertë afatshkurtër, pasi deri më sot ka pasur ekspertë afatgjatë. “Ekspertët afat-mesëm duhet të punojnë për një periudhë më të gjatë sesa ekspertët afat-shkurtër, kryesisht për një periudhë disa mujore. Kjo do të sjellë mundësi përshtatjeje për aplikantin, që të reagojë ndaj situatave komplekse dhe nevojave”, thuhet aty. Sipas dokumentit, përzgjedhja e ekspertëve do të bëhet përmes një procesi konkurrimi dhe do përzgjidhen njerëz të aftë që do të ndihmojnë institucionet shqiptare.

loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here