“Ç’faj kam unë pse Janullatosi meshon greqisht?”

0
loading...
loading...

Intervista ime e botuar në ‘DITA’, pati një jehonë të madhe dhe reagime të shumta. Më gëzon ky fakt. Indiferenca do të ishte shurdhëri. Opinioni publik duhet ngacmuar në nerv. Shpesh idetë mund të jenë ngacmuese si në një akupunkturë. Më e çuditshmja dhe më e pakuptueshme ishin replikat ndaj meje përsa i përket asaj pjese të intervistës ku unë flas për gjuhën shqipe si normë në Kishën ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke u mbështetur në historicitetin dhe kushtetutshmërinë (edhe kanonike) të kësaj të vërtete.

Replikat ndaj meje ishin sulme. Nuk dua të merrem me emrat konkretë, vetëkuptohet të instrumentalizuar. Do të kujtoj përrallën e famshme të Mbretit lakuriq. Oborrtarët dhe të tjerë të hipnotizuar lavdëronin rrobat e shkëlqyera të mbretit. Por një fëmijë tha se Mbreti ishte lakuriq.

A nuk ndodh kështu kur me të drejtën e Zotit kërkojmë të flitet shqip në ritualet kishtare ortodokse dhe dëgjojmë të flitet greqisht? Unë, si dhe të gjithë shqiptarët që me modesti mbrojmë tezën se në ritualet ortodokse duhet të flitet gjuha shqipe, në një funksion tashmë të patjetërsueshëm, anatemohemi. Dhe pse? Predikuesit e krishterimit që i tregojnë ungjijtë në një gjuhë që populli nuk i njeh, nuk bëjnë gjë tjetër veçse pengojnë në mënyrë kulte që të vërtetat e krishterimit të mos kuptohen. Shikoni se sa e thjeshtë dhe e kuptueshme është kjo gjë.

Vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe besimtarët ortodoksë shqiptarë do të mësojnë dhe do të kuptojnë tërë botën e krishterimit frymën dhe simbolet e tij. Pra çështja e gjuhës shqipe nuk është thjesht një çështje linguistike në këtë rast. Nuk ka se si të jetë thjesht linguistikë.

Gjuha shqipe ka gjashtë shekuj që nga Gjon Buzuku e deri më sot që kërkon të përcjellë krishterimin tek shqiptarët. Krijimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është një ngjarje madhore historike. Një arritje historike e padiskutueshme.

Konceptuesi dhe realizuesi i kësaj është intelektuali më i madh i shekullit XX që ka nxjerrë Shqipëria, Fan Noli.

Dhe vetë Fan Noli simbolizon tërë paraardhësit e tij. Por jo pasardhësit. Çfarë faji kam unë që në krye të KOASH-it sot është kryepeshkopi Anastas, vërtet poliglot por që nuk meshon dot tërësisht në gjuhën shqipe? Ndoshta nuk është as faji i tij. Por i kujt ama?

Po pse Fan Noli nuk nderohet siç i takon? Mos është faji im? Fan Noli nuk nderohet sepse për fat të keq KOASH, konceptohet në mënyrë kundërhistorike si një domen grek pikërisht në Shqipëri. Dhe kjo është absolutisht e papranueshme. KOASH është një monument i gjallë kombëtar dhe nuk mund të shpërbëhet. Nuk mund të helenizohet, as ritualisht, as konceptualisht.

Dua të ngre dhe një problem që më shqetëson. Intelektualët e shquar shqiptarë kanë folur për anomalinë e të meshuarit greqisht në KOASH nga kryepeshkopi Anastas. Si ka mundësi që asnjë nga deputetët në Parlamentin e Shqipërisë nuk e ngrenë zërin për të mbrojtur një çështje të tillë me interes të veçantë dhe kapital për sovranitetin dhe problemin kombëtar të shqiptarëve. Kur do të flasin këta deputetë, pse nuk flasin dhe kryetarët e të gjitha partive shqiptare? Pse bëjnë memecin dhe shurdhin? Kjo nuk i nderon aspak.

Replikat ndaj meje nuk janë asgjë. Heshtja dhe injorimi i veprës kolosale të Fan Nolit është vërtet diçka e pajustifikuar, si e mllefshme dhe pa asnjë perspektivë.

Nuk ka nevojë Fan Noli të replikojë. Madje as nëpërmjet replikës sime për replikat e të tjerëve. Të gjitha polemikat mund të hedhin mjegull dhe të shumëfishojnë epitetet dhe anti-epitetet. Por të gjitha polemikat mund të jenë shterpe nëse harrojnë pikën inkandeshente të së vërtetës. Për mua ka rëndësi që gjuha shqipe të jetë gjuha e riteve dhe praktikës liturgjike në KOASH.

Nëse arrihet kjo gjë përfundimisht (dhe do të arrihet një ditë), atëherë do të na pluhurizohen në kujtesë ndoshta tërë polemikat, inatet, sharjet dhe paragjykimet. Por nuk do të harrohet e vërteta!

loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here